Ministria e Financave ka propozuar një rritje të taksës mbi vlerën e shtuar (TVSH) për
shërbimet turistike dhe kulturore nga 10% në 14%, duke filluar nga fillimi i vitit të
ardhshëm. Ky ndryshim është pjesë e propozimit për buxhetin e vitit të ardhshëm. Përveç
kësaj, buxheti për Visit Finland, organizatën përgjegjëse për promovimin e turizmit
finlandez jashtë vendit, do të shkurtohet ndjeshëm, duke rënë në rreth tetë milionë euro në
vit. Për shkak të këtij shkurtimi, Visit Finland ka njoftuar se do të fillojë procedurat e
reduktimit të stafit.
Qeveria e Finlandës po përqendron përpjekjet e saj për përmirësimin e financave
shtetërore në sektorët e turizmit dhe kulturës, të cilët u goditën rëndë nga kufizimet gjatë
pandemisë së COVID-19. Lufta e Rusisë gjithashtu ka ndikuar ndjeshëm, duke ndaluar
fluksin e turistëve rusë në Finlandë dhe duke ulur numrin e turistëve nga Azia. Ndërsa
turizmi në shumicën e vendeve evropiane është rikuperuar shpejt pas pandemisë, situata
në Finlandë mbetet e vështirë. Vendimi i qeverisë për të rritur taksat në sektorët e turizmit
dhe kulturës, të cilët tashmë janë në një gjendje të vështirë, është kritikuar si i paqartë dhe
i papërshtatshëm.
Në programin e saj, qeveria ka rënë dakord që TVSH-ja për shërbimet dhe mallrat që
aktualisht janë të taksuara me 10%, me përjashtim të gazetave dhe revistave, do të rritet
në 14% që nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Drejtori i Sindikatës së Hotelerisë dhe Gastronomisë, Timo Lappi, shprehu shqetësimin për
rritjen e taksave:
"Ky vendim do të rëndojë edhe më shumë industrinë e turizmit dhe shërbimeve në
Finlandë, që tashmë përballet me taksa të larta krahasuar me vendet e tjera të BE-së.
Ndërsa turizmi dimëror në Finlandën Veriore ka përfituar disi, turizmi në të gjithë vendin
nuk ka arritur të rikuperohet në të njëjtin nivel si në vendet e tjera evropiane. Arsyeja
kryesore është ndalimi i fluturimeve mbi hapësirën ajrore ruse për shkak të luftës. Në vend
që të ndihmojë në rritjen e të ardhurave nga turizmi, qeveria po merr masa që e
përkeqësojnë më tej gjendjen e industrisë."
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e marketingut ndërkombëtar të Finlandës dhe kritikoi
shkurtimin e buxhetit të Visit Finland:
"Shkurtimi i fondeve për Visit Finland është një vendim i gabuar në këtë moment kritik. Në
një kohë kur nevojitet të rritet marketingu i turizmit finlandez jashtë vendit për të tërhequr
turistë, ky shkurtim dobëson ndjeshëm aftësitë e Visit Finland për të konkurruar në tregun
ndërkombëtar. Ky kursim nuk sjell ndonjë përfitim të madh për financat e shtetit, por
dëmton ndjeshëm përpjekjet për të rigjallëruar turizmin."
Industria e turizmit në Finlandë është në një situatë të vështirë dhe këto vendime janë parë
si pengesë për zhvillimin e saj të mëtejshëm.
Teksti është përkthyer nga lajmi i Sindikatës së Ndërtimit të punëdhënësve. Tekstin në
gjuhën finalndeze gjeni këtu :
https://www.mara.fi/ajankohtaista/tiedotteet/2024/hallitukselta-kylmaa-kyytia-matkailualan-
yrityksille.html