Një studim i kryer për herë të parë në Finlandë ka zbuluar një metodë të re për matjen e
produktivitetit në sektorin e ndërtimit, duke u bazuar në sasinë e orëve të punës të
shpenzuara në fazat e ndryshme të punës. Ky studim, i realizuar nga Sindikata e Ndërtimit
të Punëdhënësve (Rakennusteollisuus RT) në bashkëpunim me Universitetin Aalto, tregon
se ndërtimi në Finlandë mund të jetë deri në dy herë më efikas sesa në Singapor.
Sipas rezultateve të studimit, ndërtimi i një ndërtese shumëkatëshe me elementë betoni në
Finlandë kërkon mesatarisht 13 orë pune për metër katror. Nga këto, një orë shpenzohet
për projektim, dy orë për parapërgatitje dhe 10 orë për ndërtimin që kryhet në vetë vendin
e punës. Përgatitja e materialeve dhe punimet në terren nuk përfshihen në këtë llogaritje.
Studimi, i cili përfshiu 11 projekte ndërtimi shumëkatëshe të përfunduara në vitin 2023,
tregoi se orët e punës për metër katror varionin nga 10 deri në pothuajse 20 orë, varësisht
nga projekti. Në krahasim, në Singapor për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe
banimi, ndërtohen rreth 0.4 metra katrorë për një ditë pune, ndërsa në Finlandë kjo shifër
arrin në 0.8 metra katrorë.
Ndryshe nga metodat e zakonshme që e matin produktivitetin duke u bazuar në kosto
financiare, kjo metodë e re fokusohet në matjen e kohës së shpenzuar për ndërtim. Kjo
qasje ndihmon në identifikimin e pengesave të produktivitetit dhe përfitimeve të
parapërgatitjeve, duke ofruar një pamje më të qartë të efikasitetit përgjatë gjithë procesit të
ndërtimit.
Rezultatet e studimit sugjerojnë se projektet më të mëdha kanë një produktivitet më të
lartë, dhe parapërgatitjet ndihmojnë në zvogëlimin e kohës së nevojshme për ndërtim. Një
planifikim i mirë dhe industrializimi i fazave të ndërtimit rezultojnë në përmirësimin e
produktivitetit.
Studimi do të vazhdojë me mbledhjen e më shumë të dhënave, duke synuar përmirësimin
e mëtejshëm të efikasitetit në sektorin e ndërtimit.
Teksti është përkthyer nga lajmi i Sindikatës së Ndërtimit të punëdhënësve. Tekstin në
gjuhën finalndeze gjeni këtu https://rt.fi/tiedotteet-ja-uutiset/2024/09/uusi-tapa-mitata-
rakentamisen-arvoketjun-tuottavuutta-kertoo-tyohon-kaytetyn-ajan/